‘City po na tutet’

Louis van Gaal beson se përmirësimi i formës së Manchester Unitedit, e ka bërë që rivali lokal, Manchester City të frikësohet, para derbit që do t’i vërë përballë të dyja skuadrat këtë fundjavë. Të dielën, United do ta presë rivalin në “Old Trafford”, ndërsa të dyja skuadrat janë duke e ndjekur liderin, Chelsea.

“Natyrisht, forma luan rol në shpirtin e kundërshtarit tonë, por edhe të lojtarëve tanë. Ne kemi më shumë besim tash dhe kur e humb një pikë, pastaj kjo të ngulitet në mendje. Unë nuk i njoh individualisht mirë lojtarët e Cityt. Mirëpo, ne kemi besim të madh dhe nuk kemi humbur shpesh në shtëpi”, deklaroi trajneri holandez.

United i kanë humbur tri ndeshjet e fundit në shtëpi të Cityt, duke pësuar 11 gola, ndërsa ekipi i Manuel Pellegrinit e ka shënuar fitoren e fundit ndaj Man Utd 1:0, në duelin e zhvilluar në nëntor në “Etihad Stadium”, me golin e Sergio Agueros.