City mbretëresha e përfitimeve nga FIFA, ja sa milionë dollarë do të përfitojë për 16 lojtarë në Katar

Manchester City do të përfitojë rreth 4.5 milionë paund nga FIFA (5.58 milionë dollarë) për lojtarët që ka dërguar në Botërorin e Katarit, më shumë se çdo klub tjetër në botë sipas “The Times”.

FIFA do të shpërndajë shifrën rekord të 169 milionë paundëve (209 milionë dollarë) përmes Programit të Përfitimit të Klubeve, i cili i akordon 10 mijë dollarë klubeve për çdo ditë që secili lojtar i tyre është në turne, përfshirë edhe javën e grumbullimit përpara nisjes së Kupës së Botës. Futbollistët e kampionëve të Premier Ligës kishin në total 16 futbollistë përfaqësues në 9 kombëtare të ndryshme në Katar, ndërsa argjentinasi Julian Alvarez është ai që i ka sjellë më shumë të ardhurave “Qytetarëve”, duke qenë se sulmuesi do të luajë në finalen kundër Francës të dielën.

Manchester City do të arkëtojë 5.58 milionë dollarë, më shumë sesa Barcelona (4.1 milionë dollarë), pavarësisht se katalanasit kanë regjistruar 17 lojtarë në këtë Botëror, më shumë se çdo klub tjetër. Por 8 prej futbollistëve të tyre ishin pjesë e kombëtares spanjolle, e cila u eliminua nga Maroku që në 1/8-at e turneut, duke i prekur kështu një pjesë të mirë të bonusit që ata mund të përfitonin në përfundim të turneut.

SI NË RUSI – Manchester City konfirmohet klubi që ka përfituar më shumë nga ky bonus, sepse ishte i pari edhe në “Rusi 2018”. Anglezët dërguan edhe atëherë 16 futbollistë në Botëror dhe arkëtuan 5 milionë dollarë. Në vend të dytë u rendit Reali i Madridit (15 lojtarë) me 4.8 milionë dollarë. Në vend të tretë u rendit Tottenhami me 4.3 milionë dollarë për 12 futbollistët që dërgoi në Botëror. FIFA e vendosi bonusin e shpërblimeve të klubeve gjatë Kupës së Botës përpara turneut të Afrikës së Jugut në vitin 2010-të./ps/

FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të komentatorit e gazetarit sportiv, Milaim Krasniqi

Trajneri i Marokut, Regragui: Kërkojmë podiumin, kthehemi në shtëpi me medalje