Cilët futbollistë tjerë të dënuar nuk u lejuan të luajnë në Kosovë!

Peter Olainka nuk është lojtari i vetëm i dënuar, që nuk do të lejohet të luajë në Kosovë. Vite më parë nuk u lejua të luajë as Alban Dragusha, prishtinasi që kishte dalë pozitiv në testin antidoping. Ai ishte dënuar nga UEFA, derisa luante me Besën e Kavajës, kurse testin e kishte bërë menjëherë pas takimit të Kupës UEFA me serbët e Bezhanijas.

Federata e Futbollit e Kosovës nuk e kishte lejuar mbrojtësin kosovar të rikthehet në Kosovë dhe të luajë gjatë pezullimit që kishte marrë nga UEFA.

Por, një tjetër lojtar, që bëri bujë edhe në mediat botërore ishte Luis Suarez. Ylli i Barcelonës, ishte dënuar nga FIFA gjatë kampionatit botëror 2014, derisa Hajvalia i kishte bërë ofertë zyrtare, që gjatë dënimit katër mujor të luajë në Kosovë.

As ky nuk u lejua.

Peter Olainka është rasti i tretë, që si i dënuar tenton të luajë në Kosovë. Lojtari i Skënderbeut të Korçës ka arritur marrëveshje me Trepçën ’89. Kjo e fundit e ka kryer punën edhe me Skënderbeun, në mënyrë që Olainka të luajë si huazim në Mitrovicë.

Zeka tha për Gazetën Olle se po pret se FFK dhe FSHF do të arrijnë një marrëveshje, mirëpo sipas zëdhënësit të FFK-së, Fazli Berisha, një gjë e tillë nuk është e mundur. (Gazeta Olle)