Cila ishte e shtuna e shqipeve të Kombëtares?

Hamdi Salihi – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luajti vetëm 30 minuta në ndeshjen e djeshme të Hapoel Haifas, të humbur 2-0 në transfertë ndaj Hapoel Ranana. Salihi u fut në lojë në minutën e 60-të në vend të Stiven Kohen, pikërisht në momentin kur vendësit dyfishuan. Pas këtij rezultati, Haifa ndodhet në vend të 12-të (14 ekipe) me 25 pikë.

Herolind Shala – Mesfushori shqiptar ishte në pankinë, por nuk luajti asnjë minutë në barazimin e djeshëm të Spartës së Pragës 1-1 në fushën e Ostravas. Pas këtij barazimi, Sparta renditet në vend të dytë me 41 pikë, duke i dhënë një shans Viktoria Plzen që të shkëputet në krye.

Edgar Çani – Sulmuesi shqiptar luajti vetëm dy minuta në kohën shtesë në humbjen shtëpiake të Lids Junajtid 2-3 me Uatfordin në Championshipin anglez. Pas kësaj jave, Lids është në vend të 16-të (24 skuadra) me 41 pikë.

Jurgen Gjasula – Mesfushori luajti si titullar deri në fund në humbjen e skuadrës së tij Alen 2-0 në fushën e Sandhausenit. Alen renditet në vend të parafundit me 19 pikë.

Ledian Memushaj – Vlonjati u aktivizua si titullar deri në fund të ndeshjes, në fitoren e Peskarës 5-2 në transfertë ndaj Entelas. Pas këtij rezultati, Peskara renditet në vend të 9-të me 39 pikë.

Armend Dallku – Mbrojtësi i Voskla Poltavës luajti si titullar deri në fund në humbjen 3-0 të skuadrës së tij ndaj Shaktar Donetsk. Pas këtij rezultati, Vorskla renditet në vend të 8-të me 18 pikë.

Ansi Agolli – Mbrojtësi kuqezi luajti nga minuta e parë në humbjen 0-1 të Karabakut ndaj Kabalasë.