Çiklistët i shpëtojnë tragjedisë (VIDEO)

Paris-Roubaix, një garë e rëndësishme çiklistike që zhvillohet në Francë, ka përfunduar në qendër të vëmendjes të dielën për një shkak që nuk ka lidhje me sportin.

Grupi i çiklistëve rrezikoi të shtypej nga një tren i shpejtësisë së lartë, pasi gara kishte në itinerarin e vet edhe një hekurudhë, ku duhej të kalonin biçikletat.

Sipas rregullores, trarët ishin ulur derisa të kalonte treni, por disa çiklistë vendosën të mos humbnin kohë dhe vazhduan garën, në një kohë që treni afrohej me shpejtësi marramendëse. Në fund, disa kaluan dhe të tjerët u tërhoqën në kohë, por në një situatë të frikshme dhe anormale, transmeton sportal.al.

Pamjet kanë bërë xhiron e botës dhe organizatorët janë nën akuzë për masa të pakta sigurie, por të paktën nuk ndodhi tragjedia.