Çiklistë serbë në “Tour de Kosova”

Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK) për herë të parë, garën e saj më të madhe “Tour de Kosova”, do ta organizojë si e pranuar ndërkombëtarisht. E për herë të parë, do marrin pjesë edhe çiklistë nga Serbia, e pazakontë kjo në 16 vitet e pasluftës jo vetëm për çiklizmin.

Në garën gati 500-kilometërshe të ndarë në katër etapa, pos garuesve serbë, është konfirmuar edhe pjesëmarrja e çiklistëve nga shtetet e tjera të Ballkanit dhe më gjerë.

“Turi i Kosovës” është gara më e madhe e çiklizmit në vend dhe sivjet organizohet për herë të 15-të. Nis më 27 gusht dhe do të zgjasë për katër ditë.

Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës (FÇK), Avni Nuha, ka thënë se do të ketë edhe risi të tjera këtë edicion.

Ka thënë se shtegu prej 442 kilometrave sa ishte vjet, do të tentohet që të zgjatet për 50 kilometra të tjerë.

“Na është konfirmuar se do të vijnë edhe garues nga Serbia, pasi tash jemi të pranuar dhe nuk kanë arsye pse të mos vijnë. Do të kemi edhe garues nga Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria e disa vende të tjera evropiane. Do të ketë ndryshime në shteg dhe jemi duke shikuar mundësinë që ta zgjasim edhe për 50 kilometra. Ende nuk i kemi definuar gjërat, por qysh tash kemi nisur të bëjmë ftesa për shtetet pjesëmarrëse”, ka thënë Nuha të dielën për ‘Kohën Ditore’.

Tutje, Nuha ka thënë se numri i pjesëmarrësve do të jetë më i madh për dallim nga herët e tjera.