Chelsea dhe United luajn baras në Stamford Bridges

Chelsea dhe Manchester United i kanë ndarë pikët në takimin që u zhvillua në kuadër të javës së 26-të në Ligën Premier.

The Blues e filluan më mirë takimin, duke rrezikuar me anë të Mason Mount që në minutën e tretë, mirëpo goditja e tij u bllokua.

Më pas, Callum Hudson-Odoi bëri një pasim në zonën e Unitedit, por sërish mbrojta mysafire ishte e vëmendshme.

Djajtë e Kuq rrezikuan me anë të Marcus Rashfordit në minutën e 14-të, por Eduard Mendy bëri një pritje brilante.

Dy minuta më vonë ishte një moment i diskutueshëm, aty ku VAR-i ftoi gjyqtarin që të shikonte monitor nëse ishte penallti për Unitedin.

Por, ai vendosi se Hudson-Odoi nuk luajti me dorë qëllimshëm dhe loja vazhdojë.

45 minutat e dytë kishin një ritëm edhe më të lartë të lojës, por sërish goli mungoi.

Hakim Ziyech shpërdoroi një shans të sigurt në minutën e 49-të, pasi ishte përballë David de Geas, që bëri një pritje fantastike.

Mason Greenwood (60’) lëshoi një goditje të fuqishme, por ajo përfundoi jashtë portës.

Një goditje edhe më të mirë lëshoi Scott McTominay, mirëpo Mendy ishte i kujdesshëm.

Me disa zëvendësime, si Ole Gunnaar Solskjaer, ashtu edhe Thomas Tuchel tentuan që të rifreskonin lojën, por ishte e kot.

Pas javës së 26-të, Manchester United mbetet në vendin e dytë me 50 pikë, derisa Chelsea është në të pestin me 44 sosh.