Çfarë thonë Munishi e Pajaziti për ndeshjen e nesërme?

Ndeshja e fundit e xhiros së 18-të në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Prishtinë, ndërmjet Hajvalisë dhe Dritës. Këto skuadra kanë objektiva të ndryshme në këtë kampionat.

Derisa Hajvalia ‘lufton’ për titull, Drita do të kënaqet edhe me mbetje në elitë.

“Drita e ka një ekip të mirë, shumë më të mirë se sa vitin e kaluar. Drita ka emër në futbollin e Kosovës, dhe për futbollin e Kosovës, na duhet një Dritë e fortë që të ketë kualitet dhe që e prodhon garën kualitative, dhe vet kaulitetin. Hajvalia mendon vetëm për fitore dhe besojmë në pikë të plota”, ka thënë Ismet Munishi ditë më parë për Gazetën ‘Olle’.

Ndryshe, edhe Sadat Pajaziti e vlerëson lart Hajvalinë.

“Të hënën udhëtojmë në Prishtinë për t’u përballur me një kundërshtar të fortë siç është ekipi i Hajvalisë. Unë besoj që do të jetë një ndeshje interesante, dhe njëkohësisht shpresoj të jetë korrekte dhe t’i kënaqim tifozët me një lojë ‘Fair-Play’. Le të fitojë ai që e meriton”, pati deklaruar Pajaziti gazetën. Hajvalia renditet e pesta me 26 pikë kurse Drita ka 20 sosh dhe ‘stacionohet’ në vendin e tetë.