Çfarë lufte!

Derisa Istogut dhe Vushtrrisë u janë minimizuar gjasat për t’iu ikur dy pozitave të fundit të Superligës, lufta për t’iu shmangur zonës së barazhit, secilën herë po bëhet më e zjarrtë, shkruan Zëri.

Kjo luftë në mes Prishtinës, Dritës, Drenicës e Lirisë ka tërhequr vëmendje të madhe. Momentalisht Feronikeli shihet favorit i madh për ta fituar titullin, por Hajvalia mund të shpresojë të paktën deri në javën e ardhshme.

Derisa Feronikeli po ecën me maturi drejt titullit të kampionit të Superligës së futbollit, kurse Vushtrria dhe Istogu kanë mbetur me gjasa minimale për t’iu ikur dy pozitave të fundit, të cilat çojnë në Ligën e Parë, gara më e fortë tani po zhvillohet në mes katër ekipeve të rrezikuara për të përfunduar në dy pozitat që çojnë në ndeshje barazhi, zonë kjo që po ashtu e rrezikshme për t’i dërguar edhe dy ekipe tjera një rang më poshtë.

Prishtina, Drita, Drenica dhe Lira janë skuadrat të cilat po bëjnë luftë të madhe për t’iu ikur pozitave të rrezikshme, 9 dhe 10, raporton Zëri.

Njëherësh, krejt vëmendja e opinionit ka shkuar te kjo luftë e këtyre katër ekipeve, kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund.

Aktualisht, në këtë zonë të rrezikshme janë Prishtina me 31 pikë dhe Drita me 32 sosh. Për momentin jashtë kësaj zone janë Drenica dhe Lira, por nuk janë aspak të sigurta. Të dyja këto ekipe kanë nga 34 pikë.

Madje, këto ekipe lëre që nuk po e rrezikojnë vetëm njëra-tjetrën, por sigurisht se ndihen edhe nën presion të dy ekipeve të fundit, Istogut dhe Vushtrrisë, përderisa këto kanë gjasa matematikore për t’iu ikur dy vendeve të fundit.

“Feronikeli nuk po gabon dhe sigurt po ecën drejt titullit. Nuk besoj se do të lejojë ndonjë befasi. Sa i përket mbijetesës, Istogu dhe Vushtrria me nga një këmbë tashmë kanë shkelur në Ligën e Parë. Matematikisht ende kanë gjasa për t’u ikur dy pozitave të fundit. Por, kjo ka pak rëndësi, kur praktikisht nuk japin shpresa dhe nuk bindin”, thotë për “Zërin” Fahredin Duraku.

“Te barazhi puna qëndron ndryshe. Prishtina, Drita, Drenica e Lira do të vazhdojnë të luftojnë shumë për t’i ikur barazhit. Mendoj se xhiroja e fundit do t’i përcaktojë përfundimisht dy ekipet që do të luajnë në barazh. Deri atëherë nuk do të dihet. Për Dritën është pritur, por do të ketë pra edhe befasi, sepse befasi është nëse Prishtina, Liria apo Drenica përfundojnë në barazh, se nuk është pritur në fillim”, theksoi trajneri i njohur.

Edhe Bylbyl Sokoli thotë se lufta për t’i ikur barazhit do të jetë e hapur deri në fund.

“Barazhit do t’i ikin ato dy skuadra që do të dinë ta menaxhojnë më mirë situatën. Ekipe që do të dinë ta menaxhojnë presionin, pra të luajnë pa presion, do t’i ikin barazhit, sepse për nga kualiteti qëndrojnë afërisht njëjtë, në përjashtim të Prishtinës që është më cilësore”, tha trajneri i njohur, duke potencuar edhe Istogu e Vushtrria nuk duhet të dorëzohen.

Lufta për titull mbetet e hapur   

Bylbyl Sokoli thotë se Hajvalia nuk duhet të dorëzohet nga lufta për titull, edhe pse ka aktualisht 7 pikë më pak sesa Feronikeli. “Nëse në xhiron e radhës fiton Hajvalia dhe kikson Feronikeli në Mitrovicë, atëherë do të ndizet sërish lufta e titullit. Nëse ndodh e kundërta, Hajvalisë i minimizohen shanset”, tha trajneri i njohur.