Çfarë iu bënë Krishtlindjet treshes ‘BBC’?

Pushimet e Krishtlindjeve duket se e kanë përgjumur repartin ofensiv të kampionëve të Evropës

Metamorfozë në sulmin e Realit të Madridit. Treshja Cristiano Ronaldo, Bale, Benzema po përjeton një vit të ri mankthi. Pushimet e Krishtlindjeve duket se e kanë përgjumur repartin ofensiv të kampionëve të Europës pasi në 15 javët e para ata numëronin të tre 39 gola në total, 24 Cristiano, 8 Benzema dhe 7 Bale me një mesatare të frikshme prej 2.6 golash për ndeshje. Në javën e 17 kundër Valencias, Ronaldo sigloi rrjetën e 13 në 10 ndeshje, por me kalimin e javëve magjia e sulmit u zhduk si me një çelës dhe mesatarja në vitin 2015 është përgjysmuar sepse treshja tashmë zbret në kuotën 1.3 gola për ndeshje, çka reflektohet edhe në ecurinë e skuadrës në kampionat.

Por nëse analizohet më në detaj loja që po zhvillon skuadra, bie në sy një fakt interesant. Nuk është sulmi që po çalon në finalizim por furnizimi i këtij rteparti me topa sepse nëse mesatarja e vitit 2014 ishte 15 goditje në portë për ndeshje, tashmë lojtarët e Realit e shënjestrojnë kuadratin mesatarisht 12 herë për ndeshje dhe vetëm 45 % e goditjeve kanë si objektiv katërkëndëshin. Ai që është zhdukur pothuajse plotësisht nga kjo treshe është Gareth Bale, i cili nuk shënon që prej 6 ndeshjesh, por këtu duhet llogaritur edhe fati pasi në “San Mames” ishte shtylla që i mohoi kënaqësinë e golit. Uellsiani e godiste portën mesatarisht 1.9 herë për ndeshje gjatë 2014-ës, ndërsa në përballjet me Atletocon, Villarreal, Elchen dhe Sevillan nuk arriti të shënjestronte asnjëherë kuadratin. Të dhënat janë shqetësuese edhe për Cristiano Ronaldon që pas fitores së Topit të Artë ka arritur të shënojë vetëm 5 gola duke kaluar nga mesatarja 1.5 në 0.5 gola për ndeshje. Espanyol, Cordoba, Atletico Madrid dhe Athletic Bilbao janë kundërshtarët ndaj të cilëve nuk ka arritur të prekë rrjetën këtë vit sulmuesi luzitan. Edhe për Benzema mesatarja e golave është ulur në 0.5 gola për ndeshje. Shterpësi dhe dhe shthurje fizike dhe psikologjike për ekipin e Carlo Ancelottit, i cili kërkon një reagim të fortë nga skuadra për të mos hedhur në koshin e plehrave një sezon ku kryesopi gjatë pjesës më të madhe.