Çfarë do të ndodhë me futbollistët që i lëshoi Feronikeli, nëse nuk gjejnë skuadra të reja në janar?

Këshilltari në Feronikel, Albert Bunjaki, ka bërë të ditur se klubi drenicas i ka liruar disa lojtarë të njohur nga skuadra pasi që klubi e ka synim ta ripërtërijë skuadrën dhe ata nuk i përshtaten projektit të trajnerin Agim Sopi.

Futbollistët e njohur në Kosovë si Kastriot Rexha, Astrit Fazliu, Albutrint Morina, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj, Arbër Prekazi dhe MiloshKrkotiq janë liruar nga kampioni në fuqi i Kosovës, Feronikeli, pasi që u është thënë se nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Agim Sopi, shkruan Express.

Klubi nga Drenasi në njoftimin e mëhershëm kishte bërë me dije se kontratat nuk janë shkëputur, por futbollistëve në fjalë u është rekomanduar të gjejnë klube të reja sepse “Nikli” planifikon t’u japë rast lojtarëve të rinj.

Këtë gjë e ka konfirmuar Albert Bunjaki edhe në emisionin sportiv “Favorit” në T7, ku ka bërë të ditur se këta lojtarë janë liruar edhe pse janë cilësorë, pasi që nuk i përshtaten projektit të klubit.

“Gjithë këta lojtarë që janë informuar nga Feronikeli janë lojtarë me merita të veçanta dhe janë lojtarë me cilësi të mirë”.

“Mirëpo, ne në projektin që e kemi – duam ta kemi moshën mesatare 23-vjeçare – kemi dashur t’i informojë lojtarët me kohë që të gjejnë klube sa më herët”, ka thënë Bunjaki në “Favorit”.

“Natyrisht që ata kanë kontrata dhe nëse nuk gjejnë klube, do të kthehen. Mirëpo, ata nuk janë në planet e trajnerit Agim Sopi”.

Bunjaki tutje ka thënë se përforcimet të cilat Feronikeli i bën gjatë afatit kalimtar të janarit janë të planifikuara mirë dhe se klubi do t’u japë mundësi edhe lojtarëve të nxjerrë nga grupmoshat.