Gjatë ditës së djeshme është mbajtur ceremonia “Laureatët e Vitit 2021”, e organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Manifestimi i këtij viti u mbajt vetëm me praninë e laureatëve për shkak të masave mbrojtëse kundër Covid-19.
Epiteti i futbollistit më të mirë të vitit në BKT Superligë me votat e gazetarëve sportivë i takoi Endrit Krasniqit, i cili dha kontribut të çmuar në rrugën drejt titullit të kampionit, derisa klubi i tij FC Prishtina u nderua me çmimin e klubit më të mirë.
E trajneri më i mirë u shpall Zekirija Ramadani, i cili me Prishtinën e fitoi titullin. Çmimin e golashënuesit më të mirë e fitoi sulmuesi i Gjilanit, Gerhard Progni, me 19 gola, derisa në 11-shen më të mirë e vitit u zgjodhën: Enea Koliqi (Gjilani), Leotrim Bekteshi (Prishtina), Ardian Limani (Drita), Ilir Blakqori (Drita), Armend Thaqi (Ballkani), Arbnor Ramadani (Llapi), Endrit Krasniqi (Prishtina), Valmir Veliu (Llapi), Ermal Krasniqi (Ballkani), Gerhard Progni (Gjilani), Kreshnik Uka (Drenica).
Gjyqtari më i mirë i vitit 2021 u shpall Dardan Çaka, derisa me çmimin për të arriturat në ndarje të drejtësisë u nderua Lumturije Muhadri. Çmimin e klubit më ‘fair-play’ e fitoi FC Feronikeli.
/Gazeta Olle/