Celina: Nëse më thërret Norvegjia, shkoj pa menduar dy herë

Ylli i ri kosovar i Manchester Cityt, Bersant Celina, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij për ta braktisur Përfaqësuesen e Kosovës për atë të Norvegjisë. 18-vjeҫari në një intervistë për TV2.no deklaroi se do të ishte i gatshëm të luante me skuadrën A të Norvegjisë.

“Nëse më duan në skuadrën A, unë jam gati. Ndoshta do t’iu duhej ndihma ime”, u shpreh Celina, përcjell Express. Babai i lojtarit javën tjetër do të takohet me trajnerin e Norvegjisë U21, Leif Gunnar Smerud për të diskutuar mundësinë që Bersanti të paraqitet me skuadrën U21.

“Do të bisedojmë me Smerud të martën dhe të shohim se cfarë ka ai për të thënë. Është mjaft e mundur që të luaj me Norvegjinë”, u shpreh supertalenti kosovar.

Celina shpreson që edhe njëherë të ftohet nga trajneri i Cityt, Manuel Pellegrini, në turin parasezonal, kësaj radhe në SHBA. Ai do të stërvit me skuadrën A të Cityt dhe nëse tregon paraqitje të mira në stërvitje, ka gjasa që kiliani Pellegrini ta përfshirë edhe Celinën për turin në SHBA.