Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka paralajmëruar ndërtimin e dy stadiumeve tjera të futbollit dhe të një palestre të gjimnastikës.
Në javët e fundit Çeku ka shkruar për projektet që kanë nisur dhe që pritet të nisin lidhur me përmirësimin e infrastrukturës sportive.
Të hënën shkroi për projektet në tri komuna të ndryshme.
“Kemi shpallur tri konkurse projektimi për tri objekte të rëndësishme sportive në vend. Suhareka dhe Rahoveci do të bëhen me stadiume të reja futbolli, ndërsa Fushë Kosova me palestër të gjimnastikës”, ka shkruar ministri Çeku.
Sipas tij, tri komunat i kanë përfunduar me sukses procedurat e ndarjes së lokacioneve. Ministri Çeku ka ftuar studiot e arkitekturës që të bëhen pjesë e këtyre konkurseve.
“Vazhdojmë pa humbur kohë në konsolidimin e infrastrukturës sportive për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare 2030”, ka shkruar tutje Çeku.
Kosova nuk ka palestër të posaçme për gjimnastikë dhe një e tillë në Fushë Kosovë do të ishte risi.
Aktualisht është duke u punuara në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, atë “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe disa stadiume, fusha e palestra të tjera.