Cana nuk flet për futbollin kosovar, jam i zhgënjyer jashtë mase

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin e Kosovës, e cila dikur ishte edhe krenaria jonë, sot po kalon momentet më të rënda në historinë e saj.

Fjala është për Vëllaznimin e Gjakovës, i cili sot duket i braktisur dhe për gjynah. Askush nuk i ofrohet duke e lënë në mëshirën e trajnerëve dhe të lojtarëve, që po vazhdojnë të luajnë pa para vetëm e vetëm të mos e lejojnë klubin vetëm.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe legjendën gjakovare Agim Canën, i cili i zhgënjyer jashtë mase për momentet që po kalon futbolli kosovar ka thënë se nuk dëshiron të flasë asgjë, pasi është shumë i zhgënjyer me atë çfarë ka përjetuar. Lajmin se Vëllaznimi është në një situatë të keqe e ka dhënë vetë klubi përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar situatën momentale si më të keqen në histori të skuadrës, madje me frikë se nëse nuk ndërhyhet shpejt situata mund të bëhet edhe më e keqe.

Vëllaznimi stinorin vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës në futboll e ka mbyllur në pozitën e 13-të me vetëm 16 pikë dhe rrezikon shumë seriozisht të bjerë në një kategori edhe më poshtë çka vërtet do të ishte lajm jo i mirë për këtë skuadër.