UEFA ka konfirmuar se gjyqtari i cili do të ndajë drejtësinë në finalen e Ligës së Kampionëve 2023/2024 mes Real Madridit dhe Borussia Dortmundit në ‘Wembley’ më datë 1 qershor do të jetë slloveni Slavko Vincic.
Gjyqtari me prejardhje nga Sllovenia është njëri ndër gjyqtarët më me përvojë dhe ka mbuluar disa ndeshje të profilit të lartë.
Ai ka ndarë drejtësinë në Euro 2020 si dhe në Kupën e Botës 2022 në Katar aty ku ndau drejtësinë në ndeshjet Argjentinë-Arabi Saudite dhe Angli-Uells në fazën e grupeve.
Ndeshja e profilit më të lartë ku ai ka ndarë drejtësinë deri më tani mbetet finalja e Ligës së Evropës 2021/2022 aty ku Eintracht Frankfurti mposhti Rangersin në penallti.
Vincic është gjithashtu me eksperiencë edhe në Ligën e Kampionëve, pasi ka ndarë drejtësinë në mbi 30 ndeshje që prej debutimit të tij në dhjetor të 2016.
44-vjeçari ka ndarë drejtësinë në gjashtë ndeshje me eliminim direkt duke përfshirë humbjen e Atletico Madridit ndaj Dortmundit dhe fitoren e Bayernit ndaj Lazios.
Ai gjithashtu ka ndarë drejtësinë në 13 ndeshje të elitës së futbollit slloven dhe është në listën e gjyqtarëve për të ndarë drejtësinë në Kampionatin Evropian që do të mbahet muajin e ardhshëm në Gjermani.
Për finalen e ‘Wembley’, Vincic do të asistohet nga bashkëkombasit e tij Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Francois Letexier nga Franca.
Në VAR do të përkujdesen treshja Nejc Kajtazovic, Rade Obrenovic dhe Massimiliano Irrati./Telegrafi/