Çakoviq pritet si hero

Portieri serb i Apolonisë, Vilson Cakoviç, po bën të pamundurën që gjestin në ndeshjen me Tiranën, ku i rrëmbeu flamurin kombëtar një tifozi, ta shfrytëzojë si një mundësi për t’u bërë i njohur në Serbi. Portieri vizitoi në stërvitje skuadrën e Cervena Zvezdës, klub nga i cili ka dalë Cakoviç.

24-vjeçari është pritur si hero dhe gjatë vizitës është shoqëruar nga zëvendës presidenti i klubit.

Ai pohoi për sajtin e klubit të Cervena Zvezdës se në kushtet që u ndodh, çdokush do të kishte vepruar si ai dhe gjithçka ka qenë një provokim i hapur.

Në deklarimin e tij Cakoviç ka treguar edhe njëherë ngjarjen. Sipas tij, tre mijë tifozë thërritën në kor: “Vrite serbin!”. Pasi ka mësuar pezullimin pa afat nga klubi fierak, Cakoviç ka deklaruar për “crvenazvezdafk.com” se nuk ka shanse të kthehet më në Fier, kështu që kërkon të nisë stërvitjen me Zvezdën dhe më pas të bëhet pjesë e këtij klubi.

“Ju të gjithë e keni parë se çfarë ndodhi. Ne luanim në stadiumin tonë dhe një tifoz i skuadrës mike me qetësi kaloi rrethimin e fushës dhe erdhi pranë meje. Ai kishte mundësi ta bënte veprimin e tij kudo në fushë, por ndaloi para meje duke shpalosur flamurin. Ka qenë një provokim i hapur, pasi e dinte se unë jam serb dhe kisha bërë paraqitje të mira me klubin. Ajo çfarë përjetova në atë takim qe e papërshkrueshme. Stadiumi i Fierit është i vogël, por shumë akustik. 2-3 mijë tifozë nisën të më fyenin duke më sharë në kor, si dhe duke thirrur: ‘Vrite serbin!’.

Kjo zgjati deri sa unë shkova në dhomat e zhveshjes. Pas ndërrimit që më bëri trajneri nuk u ula në stol, por shkova në dhomat e zhveshjes. Nuk jam hero. Mendoj se çdonjëri në vendin tim do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë, prandaj nuk ka gjëra për të qenë heroik. E di që jam pezulluar nga Apolonia, por s’e di se çfarë do të bëj në të ardhmen. Nuk ka shans që të kthehem në Fier, prandaj shpresoj të qëndroj këtu, pasi me Zvezdën kam nënshkruar kontratën e parë si profesionist”, u shpreh portieri Cakoviç. Duket qartë që portieri serb ka qenë i vetëdijshëm në atë çfarë ka bërë duke “përdhosur” flamurin shqiptar, gjë të cilën po e përdor për të siguruar një kontratë në Serbi.