Bylbyl Sokoli: Vëllaznimi është sinonim i rezistencës dhe ngjyrave kuq e zi

Trajneri i mirënjohur kosovar Bylbyl Sokoli është i ftuari i sotëm në emisionin ‘Rock n’Roll Football’, i cili transmetohet në Radio Prishtina dhe TV Zëri.

Derisa muaj më parë u largua nga FC Prishtina, ‘timonieri’ nga Rahoveci së fundmi ka arritur marrëveshje me klubin nga kryeqyteti Flamurtari.

Në mes të tjerash, Sokoli ka folur edhe për fatin e njëres prej skuadrave më me traditë në vendin tonë, Vëllaznimin e Gjakovës.

Sipas tij, Vëllaznimi është ‘sinonim i rezistencës’ dhe meriton të kthehet në Superligën e Kosovës.

“Unë shpresoj që Vëllaznimi të mos largohet nga Liga e Parë pasi e meriton të organizohet”, ka thënë Sokoli në ‘Rock n’Roll Football’, përcjellë Zëri.

“Vëllaznimi është sinonim i rezistencës, i ngjyrës kuq e zi. Vëllaznimi është rezistencë në vete në këto treva”, vlerësoi Sokoli.

“Është dëm i madh që të lihet në këtë gjendje. Vëllaznimi e meriton të jetë në Superligën e Kosovës”, u shpreh ai.