Bunjaku: Celina lojtar kyç i Kosovës

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku ka reaguar pas lajmit se Bersant Celina mund të luaj me Norvegjinë.

Mediat norvegjeze kanë shkruar se talenti kosovar do të ketë një takim të martën me trajnerin norvegjez rreth të ardhmes së tij, por ende nuk është konfirmuar nëse ato kanë qenë fjalët e Bersantit ose jo.

Në një prononcim për Telegrafin, Bunjaku ka deklaruar se është e kuptueshme që shumë përfaqësuese tjera dëshirojnë lojtarët e Kosovës, pasi rasti Norvegjia-Celina nuk është i pari që një përfaqësuese tenton t’ia ‘rrëmbejë’ lojtarët shtetit tonë.

“Është e kuptueshme dhe shumë normale që Norvegjia kërkon të na rrëmbejë një talent të madh si Bersant Celina”.

“Unë vazhdimisht kam kontakte me të gjithë lojtarët ku në mesin e tyre hynë edhe Celina si dhe me familjet e lojtarëve”, deklaroi Bunjaku për Telegrafin.

“Nuk është rasti i parë që një Përfaqësuese evropiane kërkon të na marrë talentet pasi edhe tjerë lojtarë kanë pasur oferta për të veshur tjetër fanellë, por kanë vendosur të luajnë për vendlindjen e tyre”.

“Për mua është shumë e qartë që Celina do të jetë njëri nga lojtarët kyç në fazën ofensive të Përfaqësueses tonë për kualifikimet e Kampionatit Botëror ‘Rusi 2018’, që fillojnë me 4 shtator të vitit të ardhshëm”, përfundoi Bunjaku .

Kujtojmë që përparësia e Përfaqësueses së Kosovës, është se pas pranimit me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, të gjithë lojtarët me prejardhje nga vendi ynë kanë të drejtën ekskluzive që të zgjedhin nëse duan të mbesin pjesë e Përfaqësueseve tjera evropiane apo të rikthehen dhe të luajnë për vendlindjen e tyre.

Si duket dëshira e Norvegjisë do të mbetet vetëm dëshirë, pasi sulmuesi i Manchester Cityt, Bersant Celina është një lojtar mjaftë i rëndësishëm i Kosovës dhe pritet të jetë ashtu edhe në të ardhmen.