Bulku: Gjykata është e pavarur, fiton Shqipëria

Ervin Bulku është një ndër të paktët sh qiptarë që kanë fituar një çështje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (KAS). Mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe njëkohësisht kapiteni i Tiranës, rrëfen detajet e “gjyqit” me ish-klubin e tij, Dnjipropetrovsk.

“Kishin një vit pa më paguar dhe kur çështja shkoi në KAS, e fitova unë”, thotë Bulku për “Panorama Sport”. Por, sa shanse ka që të ketë të njëjtin fat edhe Shqipëria, pas seancës së nesërme dëgjimore që do të zhvillohet në Lozanë?

“Nëse po flasim për drejtësi, atëherë kjo çështje as që duhej të shkonte në KAS, sepse Shqipërisë i takojnë tri pikët. Unë kam shumë besim vetë, sepse gjyqtarët aty nuk kanë lidhje me FIFA-n dhe UEFA-n. Ata janë të distancuar dhe shumë më të pavarur se organet juridike të këtyre institucioneve”, shprehet ai.