Fituesit e Kupës së Kosovës u mposhtën në Shkup me rezultat 2-0, mirëpo shpresojnë për rikthim në “Fadil Vokrri”, shkruan Gazeta Olle.
Para stërvitjes së fundit, në konferencë për shtyp para gazetarëve dolën kryetrajneri Tahir Batatina, kapiteni i ekipit Bujar Idrizi dhe mesfushori Arbnor Ramadani.
Kapiteni Idrizi ka theksuar se nuk duhet përsëriten gabimet e ndeshjes së parë dhe se shpreson për kualifikimin tutje.
“Mendoj që është një gjest shumë i mirë rikthimi i tifozëve në tribuna, falë insistimit të trajnerit, i cili ka insistuar më së shumti për këtë. Ne shpresojmë në kualifikim tutje, tifozët për ne janë lojtari i 12- të. E kemi studiuar mjaft mirë kundërshtarin, i dijmë pikat e dobëta dhe te forta. Ne nuk duhet të bëjmë gabime. Nuk dyshoj në angazhimin maksimal të bashkëlojtarëve që së bashku të kalojmë këtë raund, që për ne dhe klubin do ishte historik”, ka përfunduar Idrizi.
Ndeshja mes Llapit dhe Shkupit në “Fadil Vokrri” fillon në ora 20:00. /Gazeta Olle/