Broja tregon dallimin e veçantë të futbollit të Kosovës me atë belg

Rron Broja kaloi gjatë afatit kalimtar të dimrit nga Trepça ’89 tek Genti i Belgjikës. Talenti mitrovicas tregon se është adaptuar shumë shpejt në mjedisin e ri.

“Jam adaptuar shumë mirë. Më kanë pritur shumë mirë. Jam duke luajtur me U-21. Javën e kaluar kam luajtur 90 minuta, kurse para dy javësh kam luajtur vetëm në pjesën e dytë”, thotë Broja për Gazetën Olle, disa orë para ndeshjes së radhës.

Ai thotë se dallimi me futbollin e Kosovës nuk është i madh, por dallon edhe në stërvitje.

“Teknikisht nuk ka dallim të madh. Këtu luhet futboll shumë më shpejt, me pasime më të forta. Mirëpo, në stërvitje, këtu ka shumë ndërhyrje të këqija, nuk brengosen që je në përgatitje, të hyjnë shumë keq”, sqaron 19-vjeçari.

Broja nuk është kosovari i vetëm tek Genti. Pjesë e këtij klubi prej dy vitesh është bërë edhe Enis Gavazaj. “Me Enisin jemi afër me banesë dhe dalim shpesh bashkë në qytet”.

Rronit i ka mbetur merak që nuk do të mund të japë kontributin për Trepçën ’89 në luftën për titull. “Më ka mbetur merak, por mirë që pata fat e erdha këtu. Shpresoj që ata të fitojnë titullin, pasi edhe ekipin e kanë shumë të mirë”, deklaroi ai. (Gazeta Olle)