Përfaqësuesja e Brazilit ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror “Katari 2022” pas fitores minimale 1:0 ndaj Kolumbisë.
Golin e vetëm në këtë takim, e shënoi mesfushori i Lyonit, Lucas Paqueta. Për Brazilin, kjo ishte fitorja e 11 në 12 ndeshje të luajtura në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Në fakt, Brazili e ka siguruar kualifikimin pa përfunduar cikli eliminator i CONMEBOL-it, pasi kanë mbetur edhe gjashtë xhiro. Brazili bëhet përfaqësuesja e tretë që tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm pas Gjermanisë dhe Danimarkës.
Me fitoren ndaj Kolumbisë, Brazili është konfirmuar lider i grupit me 34 pikë duke e lënë pas vetes Argjentinën me 25 pikë të mbledhura dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.