“Bomba” e merkatos, Jasir Asani pranë kalimit në kampionatin ku luan Ronaldo

Viti 2023 ishte fantastik për Jasir Asanin. Anësori zhvilloi një fushatë kualifikuese “magjike”, duke shënuar tre gola për kornizë, të cilat ndihmuan Shqipërinë që të kualifikohej në Europianin e Gjermanisë në qershor.

Gola këto, që patjetër nuk mund të rrinin pa tërhequr vëmendjen e shumë klubeve për Asanin, por 28-vjeçari që luan në Korenë e Jugut, është gati për të ndryshuar kampionat dhe sipas “Panorama Sport” , Jasir Asani ka rënë dakord për të kaluar në Arabinë Saudite.

Për Jasirin ka pasur interes nga disa klube, Celta Vigo një prej tyre, teksa edhe nga Franca ka pasur bisedime. Por, autori i tre “perlave”, ndaj Moldavisë, Polonisë dhe Çekisë është pranë firmës në Superligën e Arabisë Saudite, kampionat ky, që së fundmi kanë shkuar shumë lojtarë të nivelit të lartë, duke nisur nga kalimi i bujshëm i Cristiano Ronaldos. Megjithatë, ende nuk është bërë i ditur emri i ekipit që Asani do të vijojë karrierën, por në Korenë e Jugut është e sigurt që nuk do të kthehet.

Sulmuesi anësor është nën kontratë edhe për një vit, me kampionatin vendës që aktualisht nuk ka nisur ende, por klubi patjetër që do të përfitojë një shumë nga shitja e tij, shifër kjo që për klubet arabe është e papërfillshme.

Synimi është që Asani të jetë në gjendje të mirë fizike dhe me minuta në këmbët e tij kur të afrohet Europiani, që do ta gjejë Shqipërinë në muajin qershor, me tri sfidat kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, ku ai është një ndër lojtarët kryesorë në skemat e trajnerit Silvinjo. /Gazeta Olle/

Sylvinho: Gjeta një Federatë të strukturuar, mendojmë edhe për Kupën e Botës

Manaj, një prej golashënuesve më të mirë në Turqi