Boksieri Alban Beqiri mahnit me paraqitjet e tij në Beograd, kalon në çerekfinale të Botërorit

Alban Beqiri vijon të mahnisë në Kampionatin Botëror të Boksit që po mbahet në Beograd. Boksieri kuqezi ka koleksionuar triumfin e tretë në këtë kompeticion, sukses që tashmë e dërgon Shqipërinë në çerekfinale. Një rezultat fantastik nga sportisti ynë, që po nderon flamurin kombëtar në Serbi, me paraqitje të shkëlqyera ndeshje pas ndeshje.

Pasi kishte kaluar me sukses dy duelet e para, fillimisht ndaj kenianit Maina e më pas kundër lituanit Banis, mbrëmjen e djeshme ka ardhur mrekullia e radhës. Në duelin e tij të tretë të vlefshëm për kategorinë e peshave 67-71 kg boksieri me origjinë nga Puka ka mposhtur panamezin Eduardo Bekford Çambers.

Ndonëse përballej me një kundërshtar shtatlartë, Beqiri bëri një paraqitje fenomenale, duke treguar teknikë të jashtëzakonshme boksimi, me goditje të sakta dhe me një mbrojtje të shkëlqyer. Kështu pas tre raundeve, gjyqtaria akordoi fitoren me pikë me rezultatin 4-1 (28-29, 29-28, 29-28, 30- 27, 30-27) në favor të Alban Beqirit.

Në çerekfinale boksieri i Tiranës do të përballet nesër kundër jordanezit Zejad Eashash. Ky i fundit ka një eksperiencë të madhe edhe në boksin profesionist, kur regjistron 26 fitore dhe 18 humbje.

Ndërsa Beqiri numëron 4 fitore në po kaq ndeshje si profesionist, pa harruar edhe titullin kampion Ballkani të fituar pak muaj më parë.

Në rast suksesi ndaj jordanezit, Beqiri do të sigurojë minimalisht medaljen e bronzit. Shqipëria në Botëror drejtohet nga trajnerët Zef Gjoni dhe Renato Kurti, ndërsa më parë kanë dueluar edhe Nelson Hysa e Indrit Laçi. Por ndryshe nga Beqiri, të dy janë eliminuar që në sfidat e tyre të para./PS/

Predhë nga 30 metra, futbollisti i Kombëtares shënon gol të jashtëzakonshëm në Itali (VIDEO)

Vazhdon shkëlqimi i Ferizajt, ky ishte super goli i Albion Kurtaj në fitoren ndaj Ramiz Sadikut (VIDEO)