Bogdani flet për Shkëlzen Gashin dhe parashikon rezultatin

 

Erjon Bogdani e njeh fort mirë Kombëtaren, pasi është larguar nga grupi aktual vetëm një vit më parë. Kësisoj ai e shikon përballjen me Armeninë jo thjesht si një tifoz, por gati si pjesë e ‘kuqezinjve’.

Në këtë këndvështrim, ish-sulmuesi në një intervistë për “Panorama Sport” analizon mënyrën sesi duhet të luajë Shqipëria për të mundur Armeninë, duke dhënë natyrisht edhe një parashikim.

Duke parë situatën rreth Kombëtares, a mendoni se ndeshja me Armeninë është ‘fryrë’ më shumë nga ç’duhet?

Bogdani: Ndoshta, por unë dua ta marr me pozitivitet, pasi kur mendoj se sa shumë tifozë do jenë në mbështetje të Kombëtares. Kur mendoj se gjithë kombi ynë do ketë sytë nga kjo ndeshje, atëherë natyrisht që vetvetiu frymëzohesh dhe mbushesh me motivim.

Si e shikoni përballjen me Armeninë?

Bogdani: Shumë delikate. Një ndeshje që nuk mund të mendohet se mund të fitohet me vrull dhe vetëm me entuziazëm. Nuk mund të fitohet që në minutat e para, por do duhet të luhet njëlloj deri në vërshëllimën e fundit. Mos harrojmë se sikundër neve bëjmë llogari të marrim pikë të plota ndaj tyre, edhe ata nga ana tjetër të njëjtën gjë bëjnë.

A ndikon fakti se trajneri i tyre është nën presion pasi mund të shkarkohet nëse humbet ndaj nesh?

Në një ndeshje të tillë ndikon çdo gjë. Por unë them se më shumë sesa kjo, ne duhet të mendojmë dhe ta shikojmë Armeninë si të ishte një skuadër e madhe. Sikur të ishte Portugalia, Franca apo Italia.

Kaq shumë e vlerësoni Armeninë?

Bogdani: Shikoni, do bënim gabim fatal nëse do ta nënvlerësonim këtë skuadër. I kam parë ndeshjet e fundit dhe mund të them se përtej rezultateve që ajo ka marrë, kemi të bëjmë me një ekip kompakt që luan një futboll të bukur. Për mendimin tim do jetë shumë, shumë e vështirë që ta mundim, në rast se e marrim lehtë ose nisemi nga emri. Ne vijmë nga ndeshje të mira që kemi bërë ndaj Francës dhe Italisë. Madje ndaj francezëve kemi bërë një nga takimet tona më të bukura dhe për mendimin tim, duhet të qëndrojmë në atë trend loje.

Golashënuesi më i mirë te Shqipëria aktualisht është Gashi që te Baseli ka shënuar 18 gola, por zor se ai do luajë titullar, juve si mendoni?

Bogdani: Gashi është një lojtar shumë i mirë, por nuk është as mesfushor dhe as sulmues. Është diçka mes këtyre të dyjave ose më mirë është një sulmues i dytë, ashtu sikundër luan edhe te Bazeli. Por, pikë së pari duhet të kuptojmë se Shqipëria nuk është Bazeli dhe në rastin tonë, Gashin e penalizon moduli, skema e lojës. Unë e shikoj si shumë të vështirë që ai të luajë titullar me skemën e De Biazit dhe kjo nuk lidhet as me zgjedhjet e trajnerit dhe as me formën e lojtarit. Sakaq, Gashi mund të aktivizohet në pjesën e dytë, në varësi të rezultatit dhe të bëjë diferencën. Nuk i dihet sesi shkojnë gjërat dhe Gashi mund të aktivizohet në një rast kur mund të jemi në disavantazh ose ku do duam ta fitojmë ndeshjen.

Një parashikim për ndeshjen?

Bogdani: Fitojmë 2:0 dhe meqë dhashë edhe rezultatin, po lëviz pak nga vendi (qesh)… nga nesër (sot) do shkoj pranë Kombëtares, pasi dua që të kontribuoj sadopak në motivimin e tyre. E di që kjo skuadër mund të shkojë shumë larg dhe me një fitore ëndrra për në Evropian do vijë drejt realitetit.