17 vjeçarja, Kiana Kryeziu është kosovarja e parë që garon në Lojërat Olimpike Dimërore.
E reja nga Kosova ka dhënë një intervistë për mediumin zviceran Blick, ku ka thënë se është krenare që do a përfaqësojë vendin e saj në Lojërat Olimpike Dimërore.
“Një ëndërr e bërë realitet. Në vendin tim, skijimi po fiton rëndësi, pak ngadalë por sigurt. Ka plane për pista dhe qendra skijimi”, thotë e reja, e cila do të garojë në sllallomin e madh në Pekin.
Kosova është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që nga viti 2014. Katër vjet më parë, Albin Tahiri ishte sportist i parë nga vendi ynë në Lojërat Dimërore dhe tani ai ka të paktën një shoqe skuadre, Kiana Kryeziu.
E rritur sportivisht në Brezovicë, ajo imitoi prindërit e saj në moshën katër vjeçare (nëna punon për OSBE-në, babai është fotograf) dhe filloi të bëjë ski.
“Kam pasur një fëmijëri të mrekullueshme dhe kam provuar pothuajse çdo sport. Not, futboll, patinazh me rrota, tenis” dhe në fund Kryeziu vendosi të shkojë në skijim.
Flokëkuqja nuk ka asnjë lidhje me Zvicrën, Por ajo e di se disa nga bashkatdhetarët e saj luajnë futboll në Zvicër.
“Sigurisht që tashmë e njoh Xherdan Shaqirin, edhe nëse nuk luan për Kosovën”, ka thënë Kryeziu.
Ajo për idhull ka një sportiste zvicerane, bashkëshorti i së cilës është Valon Behrami ka lindur në Kosovë.
“Lara Gut-Behrami është idhulli im më i madh”, ka thënë KriezIu.
Synimi i saj në sllallomin gjigant është që të mos mbetet më pas se dhjetë sekonda ndaj kampiones së botës në këtë disiplinë.
“Jam krenare që mund të përfaqësoj vendin tim në Lojërat Olimpike”, ka thënë ajo për fund.
Sllallomi gjigand i femrave zhvillohet mbrëmjen e së hënës.
Lojërat e 24-ta Olimpike Dimërore do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt 2022 në kryeqytetin kinez Pekin. /Telegrafi/