Blerim Delibeqa sportist i vitit 2015 në Rahovec

Në përmbyllje të aktiviteteve për këtë vit, Komuna e Rahovecit, nën organizimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, sot ka shpallur sportistët më të mirë në Komunën e Rahovecit gjatë vitit 2015, ndërsa epitetin e sportistit të vitit në këtë qytet e mori anëtari i Klubit të basketbollit “Rahoveci” Blerim Delibeqa.

Me mirënjohje post mortum janë nderuar ata që kanë kontribuar në sportin rahovecas, Xhemajli Haxhijaha, trajner i parë shqiptar në futbollin rahovecas, Bajram Cana, hendbollist, Myhedin Hajda, futbollist, Elvis Pista, punëtor sportiv, Musa Sokoli, themelues i shah klubit, martiri Haxhi Sharku, hendbollist dhe basketbollist, Gani Daka, shahist, si dhe dëshmorët Mizahir Isma dhe Jahja Danuza.

Klubi më i mirë është shpallur KB “Rahoveci”, punëtorë më të mirë sportiv janë shpallur Arben Sokoli, menaxher i KF” Rahoveci” dhe Bekim B. Hoxha, kryetar i KB “Rahoveci”, ndërkaq trajner më i mirë u shpall mjeshtri i shahut, Sabahudin Kollari.

Me mirënjohje janë nderuar edhe sportistët që luajnë për klube jashtë Rahovecit, Meriton Korenica, Isa Eminhazëri, Arbër Shala, Durim Gashi, Murtez Hondozi, shahisti me rejting më të lartë ndër shahistëve, 2405 Elo poena, portieri Besnik She hu, si dhe boksieri Habib Vuçitërna.

Shefi për rini dhe sport në Drejtorinë për KRS Qemajl Krasniqi tha me këtë rast se fatkeqësisht mungesa e infrastrukturës sportive ka ndikuar në jetën sportive të Komunës, megjithatë, duhet të punohet që gjendja e jetës sportive të masivizohet dhe të ndryshoj.

Drejtori i Drejtorisë për KRS, Osman Hasku , tha se përkundër mungesës së mjeteve financiare dhe materiale, disa klube janë riaktivizuar, si hendbolli dhe KF Ratkoci, dhe në vazhdim përmendi sukseset e shkollave të futbollit “Rahover” dhe Burimi nga Opterusha, si dhe automobilizmin si sport më i ri në Rahovec.