Bledar Hajdini ka filluar stërvitjet me ekipin finlandez, ka kontakte edhe me skuadrën që luajti në Europa Ligë

Bledar Hajdini, dikur kampion me Trepçën ’89 e pastaj edhe pjesë e Ballkanit dhe Llapit duket se më në fund i ka kaluar problemet që pati me lëndimet dhe është rikthyer në stërvitje.

Portieri në një bisedë me Gazetën Olle, ka treguar rreth të tashmës dhe të ardhmes së tij.

Hajdini për momentin ka filluar stërvitjet me skuadrën e ligës së dytë finlandeze, Tempere ku edhe po qëndron me vendbanim mirëpo nuk ka vendosur ende se a do të vazhdojë me skuadrën apo jo.

“Nga lëndimi jam rikuperuar plotësisht, gati që dy muaj jam duke u stërvitur me klubin e qytetit në të cilin po jetoj Tampere, ata më kanë ofruar të nënshkruaj kontratë të rregullt dhe të bëhem pjesë e klubit mirëpo përshkak se kampionati është në zhvillim e sipër nuk kam vendosur ende” – u shpreh Hajdini.

Tutje, 25 vjeçari tregoi se përveç skuadrës së Tampere është në kontakte edhe me një skuadër të elitës finlandeze.

“Në Tampere po stërvitem pasi kam disa të afërm që luajnë këtu, por ende nuk kam vendosur nëse do të nënshkruaj kontratë. Jam në kontakte edhe me skuadrën e Ilves dhe ka gjasë të mbrojë portën e tyre në sezonin e ri”- ishin fjalët e portierit.

Ilves ka marrë pjesë në kualifikimet e këtij sezoni të Europa Ligës, teksa aktualisht ndodhet në pozitën e pestë.

Pozita e pestë e Superligës finlandeze do të kualifikohet për garat e Ligës së Konferencave.

Krejt në fund gardiani i’u përgjigj pyetjes se a beson se do të arrijë në të ardhmen të bind trajnerin Challandes për ta grumbulluar tek Kosova.

“Formën veç se kam filluar ta kthej, por se a do të grumbullohem nga kombëtarja varet nga klubi në të cilin do të luaj dhe forma që do e kem në të ardhmën” – përfundoi Hajdini. /GazetaOlle/