Blanc i bindur në sukses

Laurent Blanc në ndryshim nga Mourinho evitoi “shfaqjen” në sallën e konferencave duke qenë i drejtpërdrejtë në atë që ai kërkon në ndeshjen e kthimit në “Stamford Bridge” përballë Chelseat, që është kualifikimi i të tijve në çerekfinale.

“Për mua kjo sfidë e dytë është pak a shumë si pjesa e dytë e ndeshjes. Chelsea niset më i avantazhuar sepse shënoi një gol me peshë dhe ne duhet të bëjmë pikërisht atë që ata bënë në Paris. Pra objektivi ynë është të shënojmë. Këtë gjë e ka të qartë dhe Chelsea, më pas nëse ata vendosin të mbrohen apo të sulmojnë ky është problemi i tyre, e rëndësishme është që ne e dimë atë që kërkojmë dhe ajo që kërkojmë është të shënojmë dhe të kualifikohemi”.

Sporti francez të martën u trondit nga vdekja e 10 personave, mes të cilët 3 sportistë, që humbën jetën pas një aksidenti në Argjentinë dhe Blanc në emër të klubit shprehu ngushëllimet për familjarët.

“Unë jam një përfaqësueses i PSG dhe në emër të klubit, stafit teknik dhe lojtarëve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të dhjetë viktimave që humbën jetën në aksidentin në Argjentinë. Në atë aksident gjendeshin tre kampionë të mëdhenj francez dhe sporti francez është në zi. Në ndeshjen me Chelsean, ne do të mbajmë një shirit të zi në krah për të respektuar pikërisht viktimat e atij aksidenti”.

Një vit më parë Chelsea e eliminoi PSG falë golit në fushën kundërshtare, pasi fitoi 2-0 në ndeshjen e kthimit teksa kishte hubmur 3:1 takimn e vajtjes.