Besim Hasani: Distria sakrifikoi në vitin 2016, puna e Driton Kukës përcillet në mënyrë sekrete

Ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka përgëzuar xhudistët për arritjet e jashtëzakonshme në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

I ftuar në emisionin “2me1” në RTV 21, Hasani u shpreh se puna e trajnerit Driton Kuka përcillet në mënyrë sekrete nga burime të ndryshme ndërkombëtare.

“Në çdo garë ku ka shkuar Driton Kuka, ai vazhdimisht ka ushtruar dhe mësuar, duke i plotësuar njohuritë e tij, duke u bërë tashmë një shkollë në vete. Ju garantoj që puna e Kukës përcillet në mënyrë shumë sekrete, pasi që kjo që po bën me sportistët tanë është vërtetë e pabesueshme. Në shtetet e zhvilluara, deri në 75 persona profesionistë kontribuojnë në ndërtimin e një ekipi olimpik”, u shpreh Hasani.

Duke folur për kampionen olimpike, Distria Krasniqin, Hasani deklaroi që xhudisten pejane e ka “pikë të dobët”.

“Distrinë e kam pikë të dobët sepse në Olimpiadën e kaluar ka qenë në kategori të njëjtë me Majlindën, por Majlinda kishte rezultate më të mira dhe ne vendosëm që ajo të shkojë, sepse vetëm njëra kishte të drejtë. Por, Distria të dhimbsej aq shumë, pasi që ishte me normë olimpike. U desh ta ftojmë Distrinë dhe ta lusim që për ciklin e ardhshëm olimpik të bie në një kategori më të ulët, t’i humb 10% të peshës, por ja që mundi iu shpërblye”, shtoi ai.

Pas Distrisë, kampione olimpike u shpall edhe Nora Gjakova. /Gazeta Olle/

“Iu pëlqyen edhe futbollistëve të Feyenoordit”, Dragusha dhe Sermaxhaj me deklarate epike për Intelektualët

Donjeta Sadiku edhe pse luftoi fort, nuk ia doli