Pas punës së vazhdueshme dhe arritjeve me grupmoshat e reja, ditë më parë, futbollisti shqiptar, Besfort Zeneli firmosi kontratë profesionale me klubin e elitës suedeze, Elfsborg.
Në një prononcim për Insportin, Besforti tha se ka punuar shumë për të arritur të luajë me ekipin e parë të Elfsborg.
“Kom pas dëshirën për me lujtë ne Elfsborg edhe kom punu shumë për me arritë me këtu ku jam” – tha fillimisht Zeneli.
Përveç Besfortit, tek skuadra e Elfsborgu është zhvilluar edhe vëllai i madh i Besfortit, ylli i përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli, për të cilin Besforti tha se e ka idol.
“Prej që kam qenë i vogël vëllezërit e mi kanë lujtë, babai im ka lujtë, krejt familja jemi futbollsita dhe e gjitha ka nisë prej familjes”.
“Vëllain tim, Arbërin gjithmonë e kam pas si idol, gjithë kemi lujtë bashkë në fushën e futbollin të qytetit ku kemi banu. Endërrat i kemi pasë të njëjta, tash te shohim qysh po na shkon dyve” – shtoi më tutje ai.
19-vjeçari që po ndjek hapat e vëllait të madh, është një talent mjaft premtues edhe për Përfaqësuesen e Kosovës.
Dhe se, për Insportin, Besforti zbuloi se të luaj për Kosovën kishte qenë një ënderr e kahmotshme e tij.
“Nëse më kish ardhe ftesa me lujtë për Kosovën, patjetër që kisha pranu. Kjo ka qenë ëndërr e imja prej që ka fillu Arbëri me lujtë për Kosovën. Kemi fol bashk të dy, ishin kanë një andërr e mirë nëse kish ndodh” – tha ai.
Zeneli nuk përmendi ndonjë ekip të preferuar, por tha se po vazhdon të punojë që të luajë në ligat e forta evropiane.
“Ëndrra ime është me lujtë në ndonjë ekip në Evropë, në një ligë të mirë në Evropë” – përfundoi Besforti.
Ndryshe, ditë më parë, Avni Zeneli, babai i dy futbollistëve shqiptarë, bëri të ditur se Arbëri do të rikthehet nga lëndimi për Kosovën për ndeshjet e muajit mars.