Besa në futsall zyrtarizon portierin Arbnor Krasniqin

Besa e Pejës në futsall është përforcuar me portierin e përfaqësueses së Kosovës në futsall, Arbnor Krasniqi.

Krasniqi, që këtë sezon ndihmoi Liburnin të shpallet kampion, ka nënshkruar kontratë tre vjeçare me Besën.

“Portieri Arbnor Krasniqi i bashkohet klubit dhe nënshkruan kontratë 3 vjeçare, 2017-2020”, thuhet në faqen zyrtare të klubit. Krasniqi është prezantuar në konferencë për media nga trajneri i Besës, Adnan Hyseni.

Ai është shprehur i lumtur për transferimin te Besa, dhe është i bindur se trofetë e futsallit do të rikthehen në Pejë.

besa 12

“Ndihem mirë për besimin e dhënë nga klubi i Besës, sidomos trajnerit Adnan Hysenit. Për mua ka qenë e vështirë të largohem nga Liburni pasi atje i fitova të gjitha dhe kam pasur një mundësi të mirë që të luaj në garat evropiane siç është Liga e Kampionëve. Por, kam zgjedhur Besën si një mundësi më e mirë për punë dhe punë profesionale sidomos nga ana e trajnerit. Besoj se me bashkëlojtarët e rinj do të jemi fuqi në kampionatin e ardhshëm dhe një mundësi e mirë që Pejës t’ia rikthejmë trofetë e futsallit”, është shprehur Krasniqi.

besa 35

Ditë më parë Besa kishte transferuar edhe dy lojtarë, Drilon Paçarizin dhe Mërgim Dervishajn, përmes së cilëve ka bërë të qartë se objektivi kryesor i klubit në sezonin e ri do të titulli i ligës.