Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, ka arritur fitore të madhe të dielën mbrëma në palestrën ‘Karagaçi’ në Pejë.
Besa e ka mposhtur Borcin e Banjallukës me rezultat 29:22.
Me këtë fitore, Besa ka kaluar në raundin e tretë të Kupës Evropiane në hendboll.
Ndeshjen e parë të luajtur në Banjallukë para një jave, Borci e kishte fituar me 28:25. Në atë ndeshje tifozët serbë të Borcit nuk ndalën fyerjet ndaj shqiptarëve. Ndër të tjera u bën thirrje për vrasjen e shqiptarëve.
Por të dielën në atmosferë të zjarrtë në Pejë, Besa fitoi bindshëm dhe avancoi tutje.
Egzon Gjuka ishte më efikasi me 7 gola. Nikola Prce i realizoi 6 gola, ndërsa nga 4 i kishin Deniz Terziqi e Kastriot Jupa.
Është shquar edhe portieri Mursel Mehmeti me shumë pritje gjatë tërë ndeshjes. Është vlerësuar kjo njëra prej fitoreve më të rëndësishme të sportit kosovar deri më tani.