‘Besa e ka seriozisht’

Mesfushori më përvojë i Besës së Pejës, Ilir Nallbani, thotë se skuadra e tij i ka synimet e qarta se çka dëshiron në këtë edicion. “Besa në këtë edicion i ka synimet e qarta për titull. E kemi filluar punën qysh më 5 janar dhe deri më tash e kemi shfrytëzuar shumë mirë. Kemi qenë edhe në Durrës, dhe kemi punuar mirë, ku kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore të cilat do të na shërbejnë mjaft mirë për fillimin e kampionatit”, deklaroi Ilir Nallbani për ‘Gazetën Olle’.

Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Vllaznisë së Shkodrës, e skuadrës nga Hungaria Tatabanya, tutje, foli edhe për rivalët për titull. “Feronikeli më meritë aktualisht ndodhet në vendin e parë. Edhe Besa, Prishtina, Trepça ’89 dhe Hajvalia do të jenë në garë për titull deri në fund”, përfundoi Ilir Nallbani, duke e falënderuar në fund kryesinë e klubit, trajnerin Arbnor Morina, dhe shtabin teknik për punën që e kanë bërë për ta nisur kampionatin sa më mirë. Ndryshe, ekipi dugagjinas ndodhet në vendin e pestë me 23 pikë.