Berisha shkëlqen aty ku u bë hero

Besart Berisha deri para pak kohësh ishte njeriu më i dashur për tifozët e Brisbane Roar. Por, sulmuesi kosovar të mërkurën u shkaktoi atyre “fatalitet”. Ai u kthye në qytetin ku kishte kaluar kohë të shkëlqyeshme për të luajtur ndaj ish ekipit, me skuadrën e re, Melbourne Victory, shkruan Zëri. Dhe, pikërisht Berisha e shënoi golin e fitores për ekipin e tij dhe të disfatës për ish skuadrën.

Brisbane Roar e humbi ndeshjen me rezultat 1:2. Ndërsa, golin e dytë për Melbourne Victory e ka shënuar pikërisht Berisha, gol ai i cili u shënua në minutën e 22-të, por në fund doli të jetë vendimtar. Largimi i tij pas tri vitesh nga Brisbane Roar kishte shkaktuar pikëllim të madh te tifozët. Ndeshjen e së mërkurës prishtinasi e ka konsideruar si “speciale”, pasi ishte e para e tij kundër ish skuadrës.