Berisha në planet e Polonisë

Basketbollisti i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha, ka gjasa të mëdha të jetë pjesë e Përfaqësueses së Polonisë për “Eurobasketin 2015”, kanë njoftuar mediumet polake.

Sipas tyre, përzgjedhësi i Polonisë, Mike Taylor, ka bërë të ditur se po llogarit në Berishën që ka treguar këtë edicion paraqitje të mira te skuadra e Sigal Prishtinës.

“Berisha do të ftohet në kampin stërvitor. Mike Taylor ka bërë të ditur se e ka në konsideratë basketbollistin dhe shumë shpejt pritet të dihet lista e ekipit”, shkruan “Przegladsportowy.pl”.

Berisha prej vitit 2012 luan në Kosovë. Fillimisht luajti me Pejën dhe pastaj iu bashkua Sigal Prishtinës. Berisha ka qenë pjesë e Polonisë dhe pati luajtur në “Eurobasket 2011”, transmeton Koha.net.

Ai këtë edicion me Sigal Prishtinën ka fituar titullin e Ligës Ballkanike dhe është shpallur MVP i kësaj lige.

Berisha më herët pati deklaruar se pas pranimit të Kosovës në FIBA, do të jetë pjesë e Përfaqësueses kosovare, por do të luante në “Eurobasket” me Poloninë nëse i mundësohet një gjë e tillë.

Polonia është kualifikuar për “Eurobasket 2015” dhe bën pjesë në Grupin A së bashku me Rusinë, Bosnjë-Hercegovinën, Francën, Finlandën dhe Izraelin.

“Eurobasketi 2015” nis më 5 dhe përfundon më 20 shtator të këtij viti, kurse do të mbahet në Kroaci, Francë, Gjermani dhe Letoni.