Berisha: Ndjej përgjegjësi për të mos pësuar gol. Agolli: Nuk kemi presion

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha dhe mbrojtësi Ansi Agolli kanë dalë sot në konferencë për shtyp për të folur për ndeshjen me Armeninë.

‘Gardiani’ kuqezi e ka cilësuar përballjen me armenët si një ndeshje tejet deçisive për vazhdimësinë e ekipit dhe gjithashtu pranon se ndjen përgjegjësi mbi supe për të mbajtur të mbyllur portën dhe për të mos pësuar gol në këtë sfidë.

“Luajmë përballë një kundërshtari mjaft të rrezikshëm dhe që pikën më të fortë ka kundërsulmet. Prandaj duhet të tregohemi sa më të vëmendshëm dhe të bëjmë sa më pak gabime. Personalisht ndjej përgjegjesi dhe kam punuar shumë psikologjikisht për të mos pësuar gol në këtë përballje. Kam besim se duke dhënë maksimumin do të dalim me 3 pikë të plota nga kjo sfidë”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë Ansi Agolli deklaroi se skuadra nuk ndjen aspak presion para kësaj ndeshje dhe theksoi gjithashtu se i gjithë Azerbajxhani do të bëjë tifo për Shqipërinë kjo për shkak të konfliktit që ka me Armeninë.

“Nuk ndjemë aspak presion para kësaj sfide. Po përgatitemi për të dhënë maksimumin dhe në fund shpresoj që të shpërblehemi me një fitore. Në Azerbajzhan ku luaj unë e ndjejnë shumë këtë sfidë kjo për shkak të konfliktit që kanë me shtetin armen, ndaj dhe jam i sigurt që të gjithë njerëzit atje bëjnë tifo për mua dhe për ekipin shqiptar”, u shpreh Agolli.