Berisha ‘kërcënon’ ish-skuadrën

Sigal Prishtina është e bindur se sonte do ta bëjë hapin e dytë drejt titullit të kampionit të Kosovës në basketboll. ‘Bardhekaltrit’ do ta presin Pejën, në ndeshjen e tretë finale të “play-off-it”. Prishtinasit e kishin fituar ndeshjen e parë të serisë finale, por pejanët barazuan në mesjavë, kur e fituan takimin e dytë me rivalët. Të dyja taborëve tani u nevojiten edhe nga dy fitore për ta prekur titullin e kampionit.

Kampionët ballkanikë janë të bindur se të enjten do ta bëjnë hapin e dytë drejt trofeut. “Në ndeshjen e dytë nuk kemi qenë të përgatitur aq sa duhet psikikisht dhe kjo ka ndikuar në lojën tonë, ku bëmë gabime të cilat kundërshtari është e kuptueshme se nuk i fal. Ne e kemi ditur se do të jetë vështirë në Pejë, andaj edhe nuk është dashur të bëjmë aq shumë gabime, sidomos në pjesën e parë”, ka thënë Dardan Berisha, ish basketbollist i Pejës. Rezultati pas ndeshjeve të para është 1:1.