Berisha i gatshëm për ndeshjen ndaj ish-skuadrës së tij në Kupën e Austrisë

Valon Berisha, dikur ikonë e mesfushës së kampionit të shumëfishtë, Salzburg, është kthyer në elitën e futbollit austriak. 30-vjeçari iu bashkua LASK-ut në dimër dhe tani do të përballet me ish-skuadrën e tij në çerekfinale të Kupës së Austrisë.

Ndeshja LASK – Salzburg zhvillohet të premten nga ora 18:00.

“Kjo është diçka e veçantë për mua”, ka thënë Berisha para ndeshjes së parë zyrtare me klubin “bardhezi”.

Berisha, që i kaloi gjashtë vjet te skuadra e Salzburgut, dikur nga drejtori sportiv Ralf Rangnick, vlerësohej si “luftëtar”.

Pas 233 ndeshjeve garuese, ku pati 45 gola e 65 asistime dhe nëntë trofe madhorë, pesë tituj e katër Kupa, Berisha u largua drejt Lazios për 7.5 milionë euro, skuadër të cilën e kishte eliminuar me Salzburgun në çerekfinale të Ligës së Evropës në vitin 2018.

Vetëm katër futbollistë kanë zhvilluar më shumë ndeshje se Berisha me Salzburgun, Andreas Ulmer, Christoph Leitgbeg, Christian Schwegler dhe Andre Ramalho.

Por karriera e ndritur e tij deri në vitin 2018, pësoi rënie më pas. Shumë lëndime bënë që ai të mungonte thuajse në gjithë sezonin te Lazio.

“Ishte kohë e vështirë për mua sepse nuk isha përballur më parë me një gjë të tillë. Por unë asnjëherë nuk jam dorëzuar dhe kam luftuar shumë”, ka thënë ai të enjten në një intervistë dhënë për “sport.orf”, duke e kujtuar të kaluarën. Lazio më pas e huazoi te Fortuna Duesseldorfi në Bundesligën gjermane për gjashtë muaj në pranverën e vitit 2020 dhe më pas e shiti te Reimsi francez.

Me klubin nga Ligue 1 zhvilloi 41 ndeshje, por nuk arriti t’i përsëriste kohët e vjetra. Në edicionin 2022/23 u huazua te Melbourne City në Australi dhe ka qenë pa klub që prej shtatorit.

“Edhe pse nuk ka qenë e lehtë për shkak se vuaja shpesh nga lëndimet, kam qenë në gjendje të mësoja shumë në çdo ndalesë dhe jam rritur si lojtar e si personalitet. Në fund të fundit, gjërat pozitive peshojnë më shumë sesa ato negative”, ka thënë Berisha.

Për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Austrisë, Berisha shpreson në sukses.

Ish-lideri i Salzburgut, që njihet për mentalitet të fortë, shpreson që t’i rikthejë kohët e vjetra te LASK-u.

“Ndihem shumë rehat këtu”, ka thënë Berisha, i cili në skuadër do të jetë sërish me kapitenin Robert Zulj. Në vitin 2014, dyshja e fitoi kampionatin dhe kupën austriake me Salzburgun.

“E shoh veten si futbollist që dëshiron të lëvizë shumë në fushë, që është kërkues nga të gjithë dhe me dëshirën për ta qarkulluar topin”, tregon Berisha për rolin e tij në fushë.

Berisha 30-vjeçar me Kosovën ka zhvilluar 40 ndeshje, megjithatë nuk pritet të luajë nga fillimi.

“Nuk kam luajtur për kohë të gjatë për shkak të lëndimit të fundit. Tani ndihem në formën më të mirë fizike dhe kam qenë në gjendje për t’i përfunduar të gjitha seancat stërvitore në kampin që patëm. Ekipi drejtues më ka inkuadruar hap pas hapi dhe më ka dhënë më shumë minuta, ndeshje pas ndeshjeje. Kthimi në ritmin më të mirë është më e rëndësishmja”, ka thënë Berisha. /Gazeta Olle/

U shkarkua nga Roma, Jose Mourinho dëshiron të marrë drejtimin e ish-skuadrës

Zyrtarët e ndeshjeve të 1/8 së finales së Kupës së Kosovës