Benzema mungon ndaj Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deshamp, ka publikuar dje emrat e futbollistëve që do të luajnë në miqësoren kundër Shqipërisë më 13 qershor në stadiumin “Elbasan Arena”. Në listën e “gjelave” mungon vetëm sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema.

Ky i fundit është i dëmtuar dhe Deshamp ka vendosur që ta lërë sulmuesin të riaftësohet, duke i dhënë pushim për miqësoren. Mirë- po, trajneri francez ka grumbulluar për anti-Shqipërinë dy kampionët e Juventusit, Patris Evra dhe Pol Pogba. Këta të fundit, përpara se të udhëtojnë bashkë me Kombëtaren franceze drejt Shqipërisë, do të luajnë më 6 qershor finalen e Ligës së Kampioneve në Berlin, Juventus-Barcelona.

“Nuk ka qenë një zgjedhje e vështirë. Mendoj se Kombëtarja është gjëja më e rëndësishme për një futbollist, kështu që besoj se të gjithë do të jenë të lumtur të jenë pjesë e ekipit në miqësoren me Shqipërinë”, ka thënë Deshamp në konferencën e djeshme për shtyp pas publikimit të listës me 24 lojtarë.

Ndërkohë, përpara testit me kuqezinjtë, Franca më 7 qershor do të luajë një tjetër miqësore me Belgjikën në Paris. Axhenda e “gjelave” në Shqipëri vijon me udhëtimin më 11 qershor, ndërsa një ditë më pas trajneri Deshamp do të mbajë një konferencë për shtyp. Franca ka programuar vetëm një seancë stërvitore, pikërisht atë zyrtare në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 18:00, më 12 qershor.

Lista komplete:

Portierë Hugo Loris (Totenhem) Stiv Mandanda (Marsejë) Stefan Rufier (St.Etiene)

Mbrojtës: Rafael Varane (Real Madrid) Bakari Sanja (Mançester Siti) Eliakuim Mangala (Mançester Siti) Patris Evra (Juventus) Kristof Zhallet (Lion) Laurent Koshielni (Arsenal) Mamadu Sako (Liverpul) Benoit Tremulinas (Sevilja)

Mesfushorë Johan Kabaje (PSG) Maksim Gonalons (Lion) Geofrei Kondogbia (Monako) Blaise Matuidi (PSG) Dimitri Pajet (Marsejë) Pol Pogba (Juventus) Musa Sisoko (Njukasëll)

Sulmues: Nabil Fekir (Lion) Olivier Zhirud (Arsenal) Antoine Grizman (Atletiko Madrid) Aleksandër Lakazete (Lion) Matiu Valbuena (Dinamo Moskë) Pol Georges Ntep (Renes)