Benfica interesohet për transferimin e Albion Rrahmanit, Rapidi tashmë i ka vendosur një çmim

Forma e lartë që po tregon këtë sezon në elitën e futbollit rumun Albion Rrahmani, ka bërë që ai të bie në syrin e ekipeve të mëdha evropiane.

Sipas asaj që raporton mediumi rumun ProSport, klubi i radhës që ka shprehur interesim për shërbimet e sulmuesit kosovar është Benfica.

Rrahmani po kalon në një formë fantastike këtë sezon, duke qenë lojtari kryesor i Rapid Bukureshtit me plotë 14 gola të shënuar dhe tri asistime në 16 ndeshje të luajtura.

Për transferimin e tij në Portugali tashmë ka raportuar edhe mediumi portugez Record.pt, ku sipas tyre Rrahmani është futur në listën e dëshirave të Benficës nga presidenti Rui Costa, i cili ka mbetur i mahnitur me potencialin e tij.

Klubi portugez madje kishte dërguar edhe skautët për të përcjellur Rrahmanin në fitoren me rezultat 4-0 në derbi që Rapidi e arriti ndaj Steaua Bukureshtit, aty ku 23-vjeçari shkëlqeu me dy gola të shënuar.

Sidoqoftë, për të siguruar shërbimet e Rrahmanit, Benfica duhet të paguajë rreth 8 milionë euro, çmim ky i vendosur nga drejtuesit e klubit rumun.

Kujtojmë se më herët ishte raportuar se interesim për Rrahmanin ka pasur edhe nga Liga Premier, aty ku Aston Villa përmendej si një destinacion i mundshëm i sulmuesit kosovar.

Rrëfimi i Donis Avdijajt, nga forma fantastike deri te mungesa e Kosovës dhe marrëdhënia me trajnerin Foda: I kam shumë borxh si njeri dhe lojtar

Kuqezinjtë zbresin në fushë për stërvitjen e parë, dy mungesa për Sylvinhon