Belegu zbulon kërkesën e dytë që ia ka bërë FIBA-s

 

Presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës, ka deklaruar pas pranimit të FBK-së në FIBA-s, se këtë e dinte që nga muaji i kaluar.

Lajmi I mirë atij I erdhi pak orë para se të festonte ditëlindje. “Kur ishim në muajin shkurt në FIBA, duke biseduar  me zyrtarët e FIBA-s më thanë se më 12 ose 13 mars do ta bëjmë pranimin tuaj. Unë iu thashë se e kam ditëlindjen më 14 mars, dhe iu thashë që me rëndësi është që të jetë para ditëlindjes time”, ka thënë Belegu në intervistën dhënë Interaktivit të KTV-së.

“Kam kënaqësinë që FBK u pranua, kurse meritat nuk më shkojnë vetëm mua, por të gjithë atyre njerëzve të FBK-së që kanë punuar me vite për të ardhur këtu ku jemi sot”, shtoi ai.

I pyetur për lobin serb, ai theksoi se mospranimi i deritashëm lidhej kryesisht me politikën.

“Sigurisht se ju kujtohet vizita e Ilievit dhe Kotlebas në vitin 2008. Ata patën konstatuar se sa i përket aspektit sportiv është e gatshme të jetë anëtare, por të gjitha arsyet tjera ishin politike.

Sot FIBA mori vendimin, në të cilin që nga dita e sotme gëzojmë të gjitha privilegjet ashtu si 204 federatat tjera”.

 

Kërkesa e dytë

 

Belegu zbuloi kërkesën e dytë që ia ka bërë FIBA-s e që ka të bëjë me lojtarët e Kosovës, që luajnë me Përfaqësuese të huaja. “Kemi kërkuar nga FIBA që lojtarëve t’Ie lejohet përzgjedhja se për kë duan të luajnë, për Kosovën apo dikë tjetër. Për këtë nuk ka rregullore, kjo mbetet të shihet se çfarë është vendosur nga FIBA. Ne si federatë ende nuk e kemi marrë përgjigjen e dytë. Po presim që nesër të na vije komunikata dhe të mësojmë për këtë”, tha ai, përcjell Gazetaolle.com.