Belegu: Shteti të qëndrojë pas sportit

Mithat Belegu, gjyqtar ndërkombëtar i basketbollit, thotë se sikur basketbollistët, klubet dhe vetë mekanizmat e tjerë sportiv, i pret një punë e madhe.

“Ne tash jemi të anëtarësuar në FIBA. Mirëpo, duke i njohur rrethanat, ende nuk jemi në gjendje që në mënyre të barabartë të bëjmë gara me shtete anëtare të FIBA-s. Në planin e brendshëm duhet punuar tepër shumë. Së pari shteti duhet të qëndrojë pas sportit”, ka thënë Belegu për Radion Evropa e Lirë.

“Pa ndihmën e shtetit, sportet nuk mund t’i arrijnë qëllimet dhe synimet, të cilat i kanë. Duhet të punojmë shumë në infrastrukturë. Duhet të punojmë shumë edhe në aftësimin e kuadrove, lojtarëve. Me kuadrin e trajnerëve nuk mund të jemi (në nivel) të kënaqshëm”, ka shtuar më tej ai.

Profesionistët e basketbollit dhe vetë drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, deklarojnë se krahas shumë prioriteteve që duhet të kenë institucionet e vendit për sportin, ligji për sponsorizimin e sporteve është më se i domosdoshëm që të miratohet sa më parë.