Belegu: Përfundim i dhimbshëm

Pas vendimit të Komesarit të Garave lidhur me ndërprerjen e ndeshjes ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës, ka reaguar edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, i cili e ka shkruar një letër në rrjetin social Facebook. 

Vendimin e Komesarit të Garave lidhur me ndeshjen e tretë të serisë finale të play-off-it të ETC Superligës së Kosovës në mes Sigal Prishtinës dhe Pejës e pranova me keqardhje të madhe. Unë konsideroj që Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), përgjatë këtij edicioni ka arritur suksese të jashtëzakonshme, ndërsa një përfundim i tillë i këtij edicioni na vë në pozitë të palakmueshme para FIBA-s, Ligës Ballkanike (BILB), sponsorëve, partnerëve dhe opinionit të gjerë, por edhe minimizon mundin e secilit anëtar, të tashëm apo të dikurshëm të FBK-së, për të arritur deri në nivelin ku jemi sot.

Nuk ndodh shpesh që federatat të jenë të detyruara që të marrin vendime për përfundimin e serisë finale jashtë terrenit. Sidoqoftë, kam besim të plotë në organet e FBK-së, profesionalizmin dhe objektivitetin e tyre dhe jam i bindur se vendimet e tyre janë ato të duhurat dhe të bazuara në propozicionet e garave dhe aktet tjera normative të zbatueshme për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe të gjithë anëtarët e saj.

Nga këndvështrimi personal, nëpër media është përfolur përfshirja ime në situatën e krijuar mbrëmë në Prishtinë, andaj më duhet të sqaroj se unë kam qenë i pranishëm në palestër bashkë me zyrtarë tjerë të lartë të FBK-së, por përfshirja ime në këtë rast ka qenë vetëm në kuptim të bindjes së ekipit KB Peja që të kthehet në fushë. Por,në asnjë moment unë dhe kolegët e mi nga FBK nuk kemi ndërhyrë në kompetenca të gjyqtarëve dhe vëzhguesit të ndeshjes, e as të Policisë së pranishme në sallë. Ne në asnjë moment nuk kemi dhënë vlerësime apo gjykime mbi sigurinë në sallë dhe nuk kemi ndërhyrë me vendimet e gjyqtarëve apo vëzhguesit të ndeshjes, të cilët kanë treguar edhe këtë radhë profesionalizëm të plotë, por edhe tolerancë për sjelljet e ekipit të KB Peja, duke u akorduar atyre për kthim në fushë bindshëm më shumë kohë se sa koha e paraparë me Propozicionet e Garave, gjithnjë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes dhe pasojat e braktisjes së saj.

Përfundimi i këtillë i këtij edicioni është i dhimbshëm për të gjithë ne në Federatën e Basketbollit të Kosovës, por siç kemi dëshmuar shumë herë deri tani, ne duhet të jemi të pakompromis dhe të paanshëm në zbatimin e rregullave të lojës dhe akteve normative të FBK-së dhe FIBA-s të cilat i shërbejnë mbarëvajtjes së organizimit të sportit tonë të zemrës.

Si anëtari më i ri i FIBA dhe FIBA Europe, ne mbesim të përkushtuar për krijimin e një ambienti adekuat për zhvillimin e basketbollit për të gjithë, e zbatimi i drejtë i akteve normative që rregullojnë zhvillimin e garave në vend përbën parakusht themelor për këtë”, shkroi Belegu.