Belegu dëshiron finale kosovare

 

Erolld Belegu, president i Federatës së Basketbollit të Kosovës, e cila u pranua në FIBA muajin e kaluar, e ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të Ligës Ballkanike. Belegu pret që në këtë edicion të kemi një finale kosovare në këtë ligë.

Çka do të thotë dita e 13 marsit për basketbollin kosovar dhe për vendin tuaj në përgjithësi?

Belegu: Së pari, duke e pasur në mendje të gjithë situatën, ishte një ditë mjaft mjaft e lumtur. Ne ishim informuar në mbrëmje dhe kah ora 22:00, të gjithë po postonin në rrjete sociale, përfshirë këtu Presidenten, Kryeministrin, Ministrat tjerë, njerëz tjerë. Facebooku ishte mbushur me postime për basketbollin, thotë Belegu, përcjell Zëri. Kështu, praktikisht për 24 orë ne jetuam me këtë, le të themi sukses, sepse pas 24 vjetësh izolimi, ne më në fund ia dolëm të jemi anëtarë të FIBA-s. Nga njëra anë, ishte një fitore politike, ndërsa në anën tjetër, një obligim i madh për ne. Derisa ishim duke garuar në Ligën Ballkanike, ishim nën një stres, nëse ndonjë flamur i Kosovës do të ishte vendosur ndokund, kjo apo ajo, për shkak të rregullave që na ishin vënë. Mendoj se nga tash e tutje, ne mund të koncentrohemi vetëm tek një gjë – si të luajmë.

Sa ka qenë i rëndësishëm fakti se dy vjet më parë, Liga Ballkanike i pranoi dy ekipe nga Kosova?

Belegu: Tash është koha të luajmë dhe e para që na lejoi të luanim ishte Liga Ballkanike. Ne i jemi shumë falënderues Ligës Ballkanike, zotëriut Assen Christov, zotëriut Shay Shtriks dhe po ashtu zotëriut Lubomir Kotleba, i cili e mbështeti i pari këtë ide. E di se edhe Federatat tjera na mbështetën dhe kjo ishte shumë, shumë e rëndësishme dhe një moment kyç për basketbollin kosovar.

Çfarë e ardhme e pret tash basketbollin kosovar?

Belegu: Së pari, shpresoj t’i kemi dy finalistë në Ligën Ballkanike dhe mendoj se do të ishte një tjetër sukses, pas pranimit. Së pari, uroj që Liga Ballkanike të bëhet e fortë sa më shumë sezonin e ardhshëm dhe uroj që skuadrat tona të vazhdojnë të luajnë në këtë ligë. Për ne si Federatë, gjëja më e rëndësishme është ekipi kombëtar. Sepse, të jesh president i Federatës, duhet të merresh me ligën lokale, më pas vjen Liga Ballkanike. Tash, për ne si Federatë, është obligim të merremi me nivelin ndërkombëtar dhe tash do ta shohim se ku në të vërtet është basketbolli kosovar.