Bekim Zogaj gjykon në ndeshjen e Kukësit në Ligën e Evropës

Në treshen gjykuese nga Zvicra që do të drejtojë sfidën mes nënkampionëve të vendit dhe Torpedos në datën 2 Korrik, njëri prej asistentëve do të jetë arbitri me origjinë shqiptare por me pasaportë zviceriane, Bekim Zogaj. Treshja e arbitrave të sfidës së “Qemal Stafës” do të kryesohet nga Sascha Amhof, ndërsa Zogaj ka nisur të drejtojë ndeshje të Superligës së Zvicrës pas 16 viteve eksperiencë në ligat më të ulëta. Ai ka liçensë ndërkombëtare gjykimi në futsall që nga viti 2010, ndërsa gjatë viteve 1991-1999 ai ka luajtur si futbollist me skuadrën e Wiesendangen të Winterthurit, shkruan supersport.al.

Ai ka lindur 34 vjet më parë në zonën e Deçanit dhe sipas mediave kosovare, është rritur në Zvicër ku ka kaluar 24 vite të jetës së tij. UEFA ka publikuar edhe arbitrat që do të drejtojnë dy sfidat e tjera të skuadrave shqiptare ku Laçi-Inter Baku do të drejtohet nga një katërshe spanjolle me kryesor Carlos Del Cerro, ndërsa Stromsgodset-Partizani nga gjyqtarë irlandezë me Paul Mclaughlin që do të mbajë bilbilin e sfidës që do të luhet në Marienlyst.