Behar Maliqi: Munishi ka të drejtë…

 

Lojtari më i mirë i Feronikelit, në stinorin vjeshtor, Behar Maliqi, thekson se krahas skuadrës së tij, i sheh edhe dy ekipet tjera si më serioze.

Ai veçon më shumë skuadrat kryeqytetase. “Ne jemi përforcuar shumë, kurse frikë kemi vetëm nga Zoti. Ka ekipe shumë të mira si Prishtina, Hajvalia, Trepça ’89 dhe Besa, mirëpo mendoj se Prishtina e Hajvalia janë më serioze. Edhe 89-shi ka ekip shumë të mirë”, deklaroi Maliqi për gazetaolle.com.

Ai thekson se aty mund të jetë edhe Besa. “Mendoj që përforcimet i ka bërë Prishtina, Hajvalia e 89-shi”.

I pyetur për gjasat e Feronikelit për të mbetur në pozitën e parë edhe pas fundit të kampionatit, ish-lojtari i Partizanit të Tiranës shtoi: “Gjasat janë shumë të mira, pasi jemi përforcuar me lojtarë shumë cilësor. Besoj që na kanë bërë më të fortë. Nëse kemi arritur me mbetur në vendin e parë në gjysmësezonin e parë, besoj që kemi forcë me shkuar deri në fund me këta lojtarë që kanë ardhur e që na kanë përforcuar goxha shumë”.

Maliqi e ka fituar titullin e kampionit me Prishtinën, por cila është porosia e tij, për ish-bashkëlojtarët e kësaj skuadre. “I respektoj, por ne e shikojmë veten, merremi vetëm me ndeshjet tona”, shtoi ai.

Feronikeli luan në Skenderaj, kurse si mysafir nuk ka pësuar asnjë humbje. “Shpresoj me mbetur pa humbje. Kemi me luftuar, por futbollit nuk i dihet asnjëherë, edhe pse ne jemi në të gjitha ndeshjes mysafir. Shpresoj të vazhdojë kjo traditë”, deklaroi Behar Maliqi.

Maliqi komenton edhe deklaratat e trajnerit të Hajvalisë, Ismet Munishi. “Ka të drejtë Ismeti për deklaratat që i jep, pasi ka qenë lojtar i dëshmuar, ka luajtur në Evropë, dhe po dëshmohet edhe si trajner. Ka arritur ta bëjë kampion Kosovën e Vushtrrisë, e që besoj se është meritë e tij. Ta shohim se si do t’i shkojë me Hajvalinë. Unë e respektojë shumë si trajner dhe person”, përfundoi ai. (Gazeta Olle)