Bayern-Barcelona, “Alianz Arena” zbulon finalistin e parë

Bayern Munchen e pret sonte Barcelonën në “Alianz Arena”, për të bërë atë që bota e futbollit po e quan të pamundshme. Skuadra e Pep Guardiolas luan për të përmbysur epërsinë 3:0 të Barcelonës dhe për të arritur një gjë të tillë, bavarezëve iu duhet një paraqitje fantastike.

Trajneri katalunas nuk e fsheh optimizmin për kualifikimin në finale, ani pse thotë që djemtë e tij e kanë përballë ekipin më të mirë në botë të 15 viteve të fundit.

“Ne jemi të lumtur që kemi arritur në gjysmëfinale. Jemi prapa me tri gola dhe e kemi përballë ekipin më të mirë të 15 viteve të fundit. Do të jetë shumë e vështirë, mirëpo ne jemi Bayern dhe këtu kam mësuar që nuk ka asgjë të pamundur”, deklaroi Guardiola në konferencën për shtyp.

Në anën tjetër, Luis Enrique paralajmëron që skuadra e tij do ta bëjë një ndeshje të qetë, duke provuar thumbimin me anë të kundërsulmeve.

“Ne nuk duam një ndeshje të çmendur dhe nëse kemi një ndeshje të çmendur, ne duhet ta qetësojmë atë. Bayerni do të na sulmojë dhe ne duhet të provojmë për të luajtur me kundërsulme. Ne duam ta kemi topin, ne e duam posedimin”, theksoi trajneri spanjoll.

Vendësit duhet t’i bëjnë llogaritë pa Alaban, Robben e Ribery, derisa mysafirët janë të kompletuar.

Finalja eventuale do të ishte e para për Barcelonën që nga viti 2011, por për ta arritur atë duhet t’i kalojë edhe 90 minutat e ferrit në “Alianz Arena”.