Baton Zabërgja po kalon në një formë mjaftë të mirë këtë edicion, pas një periudhe të vështirë sezonin e klauar.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, edicioni aktual duket premtues për sulmuesin, i cili ka shpërthyer në ndeshjet e fundit.
Nga ardhja e Ilir Dajës, Batoni është duke i ndihmuar jashtëzakonisht shumë Dinamos, e cila tashmë gjindet në mesin e skuadrave më të mira në kampionatin elitar të Shqipërisë.
Për Gazetën OLLE, Zabërgja flet për të kaluarën dhe të tashmën te Dinamo e Tiranës, duke treguar se ardhja e Ilir Dajës ka qenë fantastike për të gjithë skuadrën.
Ishe në një seri prej 18 ndeshjeve pa shënuar gol. Çfarë ndryshoi?
Baton Zabergja: Për çdo lojtar, golat janë të rëndësishme, sidomos për sulmuesit, por gjatë atyre 18 ndeshjeve kam asistuar në disa gola, besoj rreth 5. Gjatë këtyre ndeshjeve kam luajtur në shumë pozicione për të ndihmuar klubin. Si sulmues, është natyrisht më e vështirë kur nuk po shënon, por kam bërë çfarë kam mundur për të kontribuar për ekipin.
A ishte i vështirë sezoni i parë për t’u ambientuar, dhe a ke rifituar tashmë formën tënde?
Baton Zabergja: Çdo fillim kur ndërron skuadër, sidomos edhe kampionat, i ka vështirësitë e veta. Nga ambientimi me trajnerin e ri, bashkëlojtarët e deri te sistemet e lojës, janë sfida që çdo lojtar i përjeton. Por besoj që ato vështirësi tashmë janë tejkaluar, dhe jam i bindur që tani do të jap atë që dëshiroj dhe që ekipi ka nevojë.
Ardhja e Ilir Dajës motivuese për ju?
Baton Zabergja: Ardhja e profesor Ilir Dajës është si qershia mbi tortë! Një strateg si Daja të bën që të japësh nga vetja më shumë se çfarë pritet, madje edhe maksimumin! Padyshim që prezenca e tij ka ndikuar shumë pozitivisht në motivimin tim dhe të skuadrës.
Çfarë pret nga sezoni aktual?
Baton Zabergja: Besoj që këtë sezon, si individualisht, ashtu edhe si skuadër, do të jemi aty ku e meritojmë. Duke pasur parasysh ekipin që kemi, trajnerin, dhe natyrisht presidentin Bardhi, është mëkat të mos synojmë Evropën dhe të mos fitojmë ndonjë trofe, përfshirë Kupën e Shqipërisë.
Muhamed Kërqeli – Gazeta OLLE.